Gjatë kontrolleve të rrepta të ushtruara nga policia e Fierit, janë vënë në pranga 4 shtetas, një prej tyre i shpallur në kërkim.

Gjatë orëve të vona të mbrëmjes, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, gjatë kontrolleve të ushtruara, arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 20 vjeç, banues në Skrapar.

Gjatë kontrollit personal, këtij shtetasi ju gjet një armë zjarri automatik dhe 1 krehër me 10 fishekë, vepër penale për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vite burg.

Po ashtu, është ndaluar shtetasi i shpallur në kërkim A. S., 30 vjeç, banues në Divjakë.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë ka vendosur ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkohë, kontrollet kanë vijuar dhe nga Policia Rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor dhe si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: R. K., 30 vjeç, banues në Lushnjë, pasi drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe J. Xh., 33 vjeç, banues në Fier, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur. /tvklan.al