Pasi komunikuan fillimisht se nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në asnjë qytet ditën e diel, Policia e Shtetit ka dalë në një deklaratë tjetër. Kësaj here ka sqaruar se në fakt nuk do të ketë ndalim të qarkullimit të automjeteve as ditën e diel.

“Policia e Shtetit, duke rivlerësuar komunikimin me Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me Udhëzimin për ditën e diel, 31 maj, pa makina, informon edhe njëherë qytetaret se nuk do të ketë ndalim të qarkullimit të automjeteve brenda qyteteve as ditën e diel”, thuhet në njoftimin e sjellë për mediat.

Policia thotë se do të përqendrohet vetëm në ndalimin e lëvizjes mes zonave që edhe nesër do të jenë zona  të kuqe.  Kujtojmë që nesër do të jenë të hapura bizneset dhe do të jetë e lirë edhe lëvizja për këmbësorët. Policia njoftoi më herët se do të ndalohet lëvizja drejt plazheve nga zonat që nuk janë zona bregdetare.

Sqarimi i policisë:

Policia e Shtetit, duke rivlerësuar komunikimin me Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me Udhëzimin për ditën e diel, 31 maj, pa makina, informon edhe njëherë qytetaret se nuk do të ketë ndalim të qarkullimit të automjeteve brenda qyteteve as ditën e diel. Policia do te përqëndrohet vetëm në ndalimin e lëvizjes mes zonave, që edhe nesër do të jenë zona të kuqe.

Njoftimi i parë:

Në kuadër të zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Policia e Shtetit njofton të gjithë qytetarët se në datën 31.05.2020 do të jenë të hapura të gjitha bizneset, si dhe do jetë e lirë lëvizja për këmbësorët, por nuk do lejohet në asnjë qytet të vendit qarkullimi i automjeteve.

Gjithashtu, edhe për këtë fundjavë nuk do lejohet hyrja dhe dalja në zonat e kuqe, si dhe ndalohet lëvizja drejt plazheve nga zonat që nuk janë zona bregdetare.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të zbatojnë me rigorozitet ndalim-qarkullimin me automjete për ditën e nesërme, si dhe të respektohet distancimi social në të gjithë vendin./tvklan.al