Një 37-vjeçar nga Lushnja është arrestuar nga policia për armëmbajtje pa leje dhe mosbindje ndaj urdhrit të uniformave blu.

Julian Sulo ishte duke udhëtuar me një automjet tip BMW të blinduar, kur në lagjen “Gafur Muço” të Lushnjes iu kërkua nga policia të ndalonte për kontroll.

Foto: Pistolete që iu sekuestrua Julian Sulos

37-vjeçari nuk iu bind urdhrit dhe u arratis, duke braktisur më pas makinën dhe u largua në këmbë nëpër rrugicat e qytetit. Uniformat blu të Lushnjes dhe FNSH e Fierit u vunë në ndjekje të tij, dhe e arrestuan në lagjen “18 Tetori”.

Në afërsi të mjetit të braktisur u gjet një pistoletë tip “Grand Power Q 100”, një krëhër me 15 fishekë dhe një fishek në folen e fishekut, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Sulo njihet si person me precedentë nga policia e Lushnjes. Ndërkaq me 11 Qershor të vitit 2016, ai mbeti i plagosur në rrethana të paqarta ndërsa kishte dyshime se ai u plagos pas një shkëmbimi zjarri në një pikë bastesh. Ende ngjarja ka mbetur e pazbardhur./

tvklan.al