Që prej mëngjesit të sotëm në mbarë vendin të gjithë strukturat e policisë janë në shërbim të përforcuar çdo 12 orë. Në sheshet kryesore të qyteteve, akset rrugore kombëtare, pranë lokaleve dhe restoranteve do të ketë patrullim të efektivëve të policisë, forcave speciale dhe njësive të specializuara të Forcave Lëvizëse Operacionale.

Të gjitha akset kryesore rrugore do të patrullohen nga shërbimet e Policisë Rrugore në bashkëpunim me grupet e Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë.

Plani i masave ka për qëllim kontrollin, si dhe parandalimin e akteve kriminale gjatë festës së ndërrimit të viteve. Vëmendja më e madhe do të jetë në kryeqytet, ku do të ketë edhe prezencë më të lartë të uniformave blu.

Krahas thirrjes që Policia e Shtetit i bën prindërve për të mos lejuar fëmijë të përdorin fishekzjarre pa praninë e tyre, një apel i veçantë shkon edhe për drejtuesit automjeteve.

Për të shmangur trafikun në kryeqytet në mbrëmje, policia u sugjeron banorëve të kryeqytetit që në vend të automjeteve private të përdorin transportin publik.

Tv Klan