Kujdes, do të identifikoheni edhe natën!

Rastet kur qytetarët e zënë në flagrancë kanë tentuar t’iu shmangen patrullave të policisë, i kanë detyruar efektivët blu që të nisin monitorimin me dron edhe nga ajri.

Nuk ka rëndësi nëse do të jetë ditë apo natë, pasi identifikimi i kujtdo që shkel orarin e ndalim qarkullimit mundësohet falë ndriçuesve dhe kamerave termike që këta dronë kanë. Pas identifikimit, shkelësit ndalohen nga agjentët e policisë.

Përdorimi i tyre nga ana e punonjëve të policisë do të nisë nga kjo e hënë, që përkon edhe me vendosjen e fashave të reja të orareve, ku qytetarëve u lejohet lëvizja nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 17:30 të pasdites.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se ky kontroll nga ana e policisë synon parandalimin e përhapjes së Covid-19 nga ata qytetarë të papërgjegjshëm,  të cilët i paralajmëroi për pasojat që i pret nga ligji nëse thyejnë masat e vendosura.

 “Ndaj ftoj qytetarët për bashkëpunim, ashtu siç kanë bërë deri tani dhe për mirëkuptim dhe për moskeqkuptim të zgjerimit të fashës orare, e cila edhe një herë siç e përsërita, një fashë orare që synon mos grumbullimin”

Kjo e hënë shënoi gjithashtu edhe zgjatjen me 90 minuta të fashës së orarit të pazareve për qytetarët, por duke nisur nga ora 17:30 e së premtjes e deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit, vendi do të jetë sërish në shtetrrethim, në kuadër të masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Tv Klan