Ish-zyrtarja dyshohet se u përfshi në pastrimin e parave

Një dëshmi e gjatë e sanitares Rozeta Dobi të dhënë për hetuesit të premten pasdite lidhur vlerat e larta të parave që iu gjetën në shtëpi çoi në pranga ish-zyrtaren Alda Klosi, mbi të cilën rëndojnë tashmë 3 akuza.

Ajo dyshohet nga Prokuroria e Tiranës se nuk ka deklaruar pasurinë sipas ligjit, është përfshirë në pastrim parash dhe ka bërë deklarim të rremë para oficerëve të policisë gjyqësore. Akuza e fundit është e lidhur me historinë e vjedhjes së banesës, për të cilën u vu në pranga sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi në fillim të muajit Janar.

Deklarimet parapake për sasinë e parave të vjedhura, por edhe pretendimet e Rozeta Dobit në dëshminë e dhënë së fundmi, se vjedhja ishte inskenim dhe paratë ishin marrë me kërkesë të vetë Klosit, e çuan atë nën hetim për deklarim të rremë.

Gjithashtu, pretendimet e tjera të Rozeta Dobit se ka qenë dëshmitare e lëvrimit të vlerave të larta të parave kesh në banesa të lidhura me Klosin dhe persona të tjerë, ka çuar në ngritjen e akuzës së pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të të ardhurave.

Prokuroria e Tiranës është duke hetuar mbi ekzistencën e këtyre parave, 400 mijë euro të gjetura në tubin e ajrimit në banesën e sanitares dhe burimin kriminal të tyre, që deri në këtë fazë të hetimit nuk është përcaktuar ende.

Vetë Alda Klosi, ka mohuar akuzat e ngritur nga prokuroria.

Tv Klan