Apeli dënon me dy vite burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm

Policia e Shtetit nuk e ka gjetur ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla në shtëpinë e tij për ta arrestuar, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që la në fuqi dënimin prej 2 vitesh burg për të.

Urdhri për arrestimin e Llallës u dha nga SPAK, që shpërndau një njoftim për këtë çështje. Oficerët e policisë qëndruan pak minuta në shtëpinë e Adriatik Llallës pas daljes së urdhërarrestit dhe u larguan pas një bisede të shkurtër me familjarët e tij.

Ish-Kryeprokurori Llalla nuk ishte në gjykatë gjatë paradites dhe avokati tha se mungesa e tij është për arsye shëndetësore.

“Di që Llalla është në spital, kaq di”.

Vendimi i Apelit të Gjykatës së Posaçme përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike dhe konfiskim të pasurisë.

“Jemi me gjykim të padrejtë. Unë jam avokati i tij dhe jam këtu, para jush. Gjykata, edhe e Shkallës së Parë, edhe e Apelit, ka bërë copy-paste të gjitha veprimet procedurale, asgjë tjetër. Do t’i ndjekim të gjitha hallkat, deri në Gjykatën e Lartë”.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 Mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. 

Tv Klan