Nuk iu bind urdhrit për të treguar lejen e lëvizjes

“Orges Bilbili i shpallur në kërkim prej 2016-s për një vrasje të dyfishtë në Lushnjë dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale, u plagos mesditën e së premtes në kryeqytet nga një efektiv i forcave ‘Shqiponja’”.

Këto janë momentet e para pas plagosjes, që tregojnë 30-vjeçarin të shtrirë në tokë, në rrugën përpara shkollës “Niket Dardani”, në zonën e Xhamllikut, teksa policia pret mbërritjen e autoambulancës.

I veshur me një bluzë me kapuç ai ka qenë duke lëvizur në rrugë rreth orës 11:20, kur efektivi i forcave “Shqiponja” i ka kërkuar të tregonte lejen për të dalë nga shtëpia dhe një dokument identifikimi.

Në këtë moment Orges Bilbili, ky që shini në këtë foto, është larguar me vrap. Policia e ka ndjekur, por ai ka nxjerrë një pistoletë nga një çantë dore që mbante me vete dhe e ka kërcënuar se do ta qëllonte.

Por efektivi i forcave “Shqiponja” nuk është ndalur. Ai i ka kërkuar të lëshonte armën dhe e ka paralajmëruar duke qëlluar në ajër.

Kur 30-vjeçari i është pergjigjur se do ta qëllonte, atëherë ai ka qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të plagosur. Plumbat kanë kapur edhe një kalimtare të rastit.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj ishte vetë në vendin e ngjarjes dhe tha se polici ka vepruar sipas rregullave. Dy të plagosurit janë transportuar në Spitalin e Traumës.

Pas ngjarjes, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj vizitoi në spital kalimtaren e plagosur duke siguruar se ajo është jashte rrezikut për jetën. Ministri takoi edhe punonjësit e skuadrës “Shqiponja”, për t’i inkurajuar për detyrën.

Ndërsa efektivi i policisë ka dhënë dëshminë e tij në Drejtorinë e Tiranës në lidhje me ngjarjen, duke thënë se ishte konform ligjit. Bilbili konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për disa vrasje e plagosje në zonën e Lushnjes.

Ai rezulton i dënuar edhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për “Trafikim i narkotikëve”, si bashkëpunëtor i italianit Giorgio Riformato.

Po ashtu, ai dyshohet se, së bashku me Laert Haxhiun vranë në vitin 2017 Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën dhe që së bashku kanë vrarë në vitin 2010 edhe Gerti Lalën.

Është i dyshuar gjithashtu edhe për atentatin ku mbeti i plagosur Xhulio Shkurti dhe Sajmo Xhelili. Në Shtator të vitit 2018, forcat speciale Renea organizuan një operacion për kapjen e Bilblit në fshatin Rremas, në Divjakë, por pa mundur ta arrestojnë. Gjatë operacionit u plagos një i moshuar.

Tv Klan