Policia e Shtetit ka të dhëna se protestuesit e opozitës do të hyjnë me forcë në sallën e Parlamentit. Në një deklaratë për mediat, ajo u bën thirrje organizatorëve të protestës së nesërme, që të distancohen nga dhuna.

“Nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”.

Policia e Shtetit deklaron se do t’i përgjigjet me forcën e ligjit në proporcionalitet të plotë çdo akti dhune.

“Mbi 1200 forca policie do të blindojnë parlamentin e Shqipërisë. Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës po bëjnë përgatitjet e fundit të planit të masave. Strategjia pritet të jetë e njëjtë, ashtu si përballë dyerve të Kryeministrisë, do të hidhet gaz lotsjellës”.

Gjatë protestës së 16 Shkurtit, si pasojë e përplasjes mes protestuesve dhe punonjësve të policisë, u lënduan 8 efektivë, 9 protestues dhe 2 gazetare.

Tv Klan