Policia ka publikuar sot planin e muajit Mars “ROADPOL MARS 2021”, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Prej ditës së sotme, në të gjithë vendin, kanë nisur kontrollet në rrugët e vendit për të zbuluar drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Prej mëngjesit të janë vendosur 138 masa për parakalime të gabuara të konstatuara nga efektivë civilë të Policisë Rrugore. Pas kontrolleve me radar janë ndëshkuar 34 drejtues mjetesh që qarkullonin në Rrugën e Kombit dhe në aksin Thumanë-Milot–Lezhë, me shpejtësi mbi normat e  lejuara.

Gjithashtu janë vendosur 78 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit, 89 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit si dhe 23 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse.

Policia në një njoftim për mediat sqaron se plani operacional do të vijojë përgjatë gjithë muajit mars, në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugët me risk për ngjarje./tvklan.al