Tre ditë pasi e arrestuan për dhunë ndaj bashkëshortes së tij, në shkelje edhe të urdhrit të mbrojtjes, policia u rikthye në shtëpinë e një 71-vjeçari në fshatin Mborje të Korçës. Shkak u bë informacioni që efektivët morën se i moshuari kishte armë të tjera të paligjshme, përveç granatave dhe municionit që i gjetën në momentin e arrestimit. Informacioni ishte i saktë. Në shtëpinë e tij, në një magazinë ngjitur me shtëpinë dhe të mbyllur me mur, policia zbuloi në fakt një arsenal armësh.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 17.02.2024, në fshatin Mborje, Korçë, ku si rezultat i veprimeve policore u arrestua në flagrancë shtetasi Dh. M., 71 vjeç, pasi ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij, që është e pajisur me urdhër mbrojtjeje, si dhe posedonte në banesë, 2 granata dore dhe një sasi municioni luftarak, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontrolle të tjera.

Konkretisht, gjatë kontrollit në një magazinë ngjitur me banesën e 71-vjeçarit, ambient i përshtatur dhe i mbyllur me mur, u gjetën 1 armë gjahu, 2 armë zjarri, 6 krehra të armës së zjarrit, sasi municioni luftarak, pjesë të armëve të zjarrit, 3 ndezës granatash, 2 granata ofensive, 2 granata difensive dhe 1 granatë cilindrike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, tha policia e Korçës në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al