Efektivja Lami shpjegon mundësitë e lëvizjes së qytetarëve kur hyjnë në fuqi kufizimet

Për mbarëvajtjen e samitit të Bashkimit Evropian me Ballkanin perëndimor, policia e kryeqytetit ka njoftuar bllokimin e disa akseve rrugore. Olta Lami specialiste e trafikut urban në Tiranë shpjegon për Klan News, rrugët ku do të ketë kufizime.

“Do fillojë bllokimi në 7:00 të mëngjesit, ndërsa për rrugët urbane në 8 të mëngjesit. Aksi kryesor që do bllokohet janë ato ku do bëhet lëvizja e delegacioneve nga Rinasi në Qafë Kashar dhe anasjelltas. Nga pjesa e Qafë Kasharit deri në ish-sheshin Shqiponja të dyja krahët e autostradës, i gjithë segmenti i Unazës së madhe, nga ish-sheshi Shqiponja deri tek rrethrrotullimi i Sanatoriumit dhe më pas Rruga e Elbasanit nga rrethrrotullimi i Sanatoriumit deri tek Ura e Elbasanit”, ka thënë Olta Lami.

Një njoftim me rëndësi policia ka për qytetarët që kanë destinacion Rinasin.


“Qytetarët që do vijnë nga Veriu mund të bëjnë rrugëkalimin si gjithmonë, nuk ka asnjë bllokim nga Fushë-Preza në drejtim të Rinasit. Ata që vijnë nga Durrësi, do i duhet të devijojnë në Vorë, në rrugën e vjetër të Fushë-Krujës e cila përsëri të çon në Fushë-Prezë e më pas në Rinas. Ndërsa qytetarët që vijnë nga juglindja, në pjesën e Elbasanit do të kthehen në Unazën lindore tek rrethrrotullimi i TEG duke dalë kështu në Paskuqan, në Kamëz dhe në kryqëzimin e Valijasit do të marrin për në Rinas”, ka thënë Lami.

Efektivja e policisë gjithashtu shpjegon edhe lëvizjen e mjeteve të transportit publik.

“Përsa i përket mjeteve të transportit publik sigurisht që nesër do të funksionojnë, por do të ketë devijime aty ku është e kufizuar lëvizja për këto mjete”, ka thënë Lami.

Për sa i përket banorëve që janë rezidentë brenda perimetrit të sigurisë, do të mund të dalin duke u shoqëruar nga efektivë policie, ndërsa do të mund të kalojnë sërish vetëm pas përfundimit të samitit.

AKSET QE BLLOKOHEN

Rruga “Rinas – Qafë Kashar” dhe anasjelltas

Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas

Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas

Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas

AKSET QE LIDHEN ME RRUGEN E ELBASANIT TE BLLOKUARA

Papa Gjon Pali II

Dervish Hima

Asim Zeneli

Themistokli Gërmenji

Ismail Qemali

Mustafa Matohiti

Jul Variboba

Faik Konica

Fatmir Haxhiu

Gjeneral Nikols

Rruga e Atjonit

Sheh Ahmet Pazar

Ibrahim Rugova

Ukraina e lirë

Lek Dukagjini

Klan News