Një ditë pas arrestimit të Mikel Shallarit si ekzekutor të vrasjes së komisarit Artan Cuku, policia ka mbledhur të tjera prova për këtë ngjarje.

Burime nga Policia e Tiranës thonë se janë shpallur në kërkim vëllezërit nga Tropoja Bujar dhe Florian Daka, si porositës të dyshuar të vrasjes së komisarit Cuku.

Vëllezërit Daka ishin të dyshuarit kryesor të ngjarjes së rëndë pasi ndodhi vrasja. Ata u shoqëruan dhe në muajin prill në komisariat, por më pas u lanë të lirë për mungesë provash.

Pista e hetimeve lidhet me ngjarjen e vitit 2005 kur Artan Cuku ka qenë shef i komisariatit nr.4 në Tiranë. Në atë kohë, vëllai i Bujar dhe Florian Dakës, Agim Daka u vetëvra në zyrën e komisarit.

Agim Daka u ndalua nga policia në vitin 2005 pasi vëllai i tij Bujari ishte arratisur nga burgu i Shkodrës. Një postbllok i policisë dyshoi se ai ishte Bujari, me të cilin kishte ngjashmëri.

Gjatë marrjes në pyetje, siç rezultoi nga hetimet, Agim Daka në kushte të rënda psikike, i ka rrëmbyer nga brezi pistoletën Artan Cukut dhe është qëlluar në kokë./

tvklan.al