Policia turke përdori forcën për të shpërndarë protestuesit anti-qeveritarë që u mblodhën në natën e tetë në Stamboll.
Ministri i Brendshëm tha se 1,879 njerëz janë arrestuar që nga shpërthimi i protestave të mërkurën e kaluar për të kundërshtuar burgosjen e kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Immaoglu.
Në solidaritet me protestuesit disa banorë të Stambollit dolën nëpër dritare duke iu rënë tenxhereve e tiganëve.
Grupet e të drejtave të njeriut i kërkuan Turqisë të hetojë atë që ata e quajtën forcë të tepruar nga policia në shpërndarjen e turmave dhe i kërkuan qeverisë të lejojë protestat.
Udhëheqësit perëndimorë thanë se arrestimi i Imamoglusë shënoi kthim prapa në rrugën demokratike të vendit.
Ndërkohë kreu i partisë kryesore të opozitës, asaj Popullore Republikane, Ozgur Ozel, njoftoi të enjten se Ekrem Imamoglu, i cili mori mbi 15 milionë vota në zgjedhjet paraprake të partisë, është tani kandidati presidencial i partisë.
Një figurë udhëheqëse e opozitës, Imamoglu, është parë prej kohësh si rivali më i fortë i Presidentit Tajip Erdogan.
Pavarësisht presionit perëndimor, Turqia vijoi shtypjen e protestës dhe medias. Autoriteti Mbikëqyrës i medias vendosi gjoba për katër transmetues lidhur me mbulimin e protestave. Më vonë protestuesit dhe ligjvënësit e partisë kryesore opozitare u mblodhën jashtë selisë së autoritetit të medias.
Gjithashtu gjatë ditës, autoritetet turke deportuan korrespondentin e BBC-së Mark Lowen pasi e ndaluan për 17 orë dhe e shpallën “kërcënim për rendin publik”.
Lowen ka qenë në Turqi për të mbuluar protestat masive në rrugë. Drejtorja ekzekutive e BBC News Deborah Turness e quajti dëbimin “jashtëzakonisht shqetësues” dhe tha se transmetuesi do ta ngrejë çështjen tek autoritetet turke.
Lowen, i cili më parë jetoi në Turqi për pesë vjet, tha gjithashtu se dëbimi i tij është “jashtëzakonisht shqetësues”, dhe shtoi se liria e shtypit është thelbësore për demokracinë.
Klan News