“Operacioni është në vijim për kapjen e personave të tjerë”

Policia e Shtetit ka konfirmuar se ka qenë e përfshirë në operacionin e kapjes së 1.3 tonëve kokainë në Greqi, ku në mesin e të arrestuarve janë 6 shqiptarë. Hetimet u kryen nga DEA amerikane, policia greke, shqiptare dhe ajo spanjolle.

“Në këtë operacion Policia e Shtetit shqiptar mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë me hetime pro-aktive që u zhvilluan duke dhënë një ndihmesë dhe kontribut në  identifikimin e personave të organizatës, roleve te tyre individuale dhe në mënyrën e funksionimit të  organizatës kriminale, gjë që na mundësoi të identifikohen dhe konstatohej plotësisht përbërja dhe veprimtaria e saj. Operacioni është në vijim dhe Policia e Shtetit është duke kryer detyrat e saj në  bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët që janë përfshirë në këtë operacion  për identifikimin e persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Nga hetimet është zbuluar se sasia e konsiderueshme e kokainës që u kap në Agrinjo, kishte hyrë përmes portit privat të Katakolos dhe më pas ishte fshehur në një kompleks dhomash plazhi në fshatin Astakos.

Kreu i kësaj organizate dyshohet të jetë Aleksandër Pema, i cili është arrestuar së bashku me 5 shqiptarët e tjerë; Arbër Përdeda, Ergon Tusi, Erlin Zotaj, Lek Doda dhe Maksim Preçi. /tvklan.al