Ministria e Punëve të Brendshme e entitetit të Republikës Sërpska (MUP RS) ka penguar anëtarët e Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) të hyjnë në ndërtesën e Qendrës Administrative të Qeverisë së Republikës Sërpska në Sarajevën Lindore, ku po zhvillohej një takim mes Millorad Dodik, dhe përfaqësuesve të Qytetit të Sarajevës Lindore.
Lajmin për pengimin e hyrjes në ndërtesën ku po qëndronte presidenti i Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga vetë SIPA.
Kjo agjenci deklaroi se anëtarët e saj po vepronin sipas një urdhri të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe se nuk është përdorur forcë. Dodik, kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiç dhe kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishoviç, janë të dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues. Për ta është lëshuar një fletë arresti qendror në Bosnje-Hercegovinë që nga mesi i Marsit, pasi nuk janë përgjigjur ftesës së Prokurorisë së Bosnje-Hercegovinës për t’u marrë në pyetje.
Më herët, Gjykata e Bosnjës i kishte kërkuar INTERPOL-it që të rishikojë vendimin për refuzimin e kërkesës për lëshimin e një njoftimi të kuq ndaj përfaqësuesve të udhëheqjes së Republikës Sërpska.
INTERPOL nuk ka lëshuar një njoftim të kuq ndërkombëtar për Dodikun, Stevandiçin, pasi Gjykata e Bosnjës i ishte drejtuar me kërkesë më 27 Mars. Prokuroria e Bosnjës më herët kishte kërkuar lëshimin e fletë arrestit ndërkombëtar, duke theksuar se Dodik dhe Stevandiç, “duke shfrytëzuar pozitat e tyre të larta në RS, kanë shmangur procedurat ligjore të kontrollit kufitar, kanë kaluar kufirin shtetëror dhe kanë lëshuar territorin e Bosnje e Hercegovinës”.
Të dy zyrtarët janë larguar dhe janë kthyer në Bosnje-Hercegovinë disa herë që nga lëshimi i urdhrit qendror për arrestimin e tyre. Pas një vendimi të shkallës së parë në fund të Shkurtit, me të cilin Millorad Dodik u dënua me 1 vit burg dhe iu ndalua angazhimi në politikë për një periudhë prej 6 vjetësh, autoritetet në Republikën Sërpska miratuan një sërë ligjesh që ndalojnë funksionimin e organeve shtetërore gjyqësore dhe hetimore të Bosnjës në territorin e këtij entiteti./REL