Lajme Arkiva – TV Klan 2002

Policia Tatimore e Durrësit ka nisur kontrollet në pikat që tregtojnë plasësit, por duket se kjo nuk ka për të shmangur përdorimin e tyre nga qytetarët. Ka më shumë se një muaj që qetësia e banorëve të Durrësit prishet nga plasësit që hidhen në çdo orë e në çdo vend. Kjo e detyroi policinë e qytetit të merrte masa për bllokimin e këtyre lëndëve.

Specialistët e policisë thonë, se disa nga fishekzjarrët që shiten, mund të krahasohen për nga zhurma që shkaktojnë me atë të dinamitit. Një sasi e konsiderueshme është bllokuar së fundmi nga policia, por vetë punonjësit e saj deklarojnë se një pjesë e mirë e qytetarëve kanë blerë tashmë fishekzjarrët, që i përdorin jo vetëm për festat e fundvitit.

Aksioni për bllokimin e plasësve kryesisht në pikat e shitjes së tyre me shumicë do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme. Por policia deklaron se mënyra për të shmangur prishje e qetësisë apo dhe incidentet nga fishekzjarrët, do të ishte bllokimi i tyre që në doganë./tvklan.al