Hetimi administrativ i Policisë së Shtetit mbi çështjen e Xhisela Malokut dhe djalit të deputetit Rrahman Rraja ka zbardhur më shumë detaje mbi përgjegjësinë e dy punonjësve të policisë që morën në pyetje 25-vjeçaren, Genti Çitozi dhe Emiljano Nuhu.

Teksa renditi në mënyrë kronologjike procedurën e ndjekur në çështjen e Xhisila Malokut, zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj pranoi se të dy efektivët nuk kanë vepruar në përputhje me procedurën.

Çitozi sepse ka marrë në pyetje vajzën në praninë e të akuzuarit, ndërsa i dyti nuk e ka thirrur fare për ta pyetur djalin e deputetit, por e ka takuar në një lokal në kryeqytet. Mosarrestimin e Rrexhep Rrajës, Hajna ia faturon Prokurorisë.

“Çdo masë sigurie, ndalimi ose arrestimi i tij, që pretendohet se mund të merrej ndaj shtetasit R.Rraja nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit. Ligji ju a njeh këto të drejta vetëm prokurorit dhe Gjykatës”.

Arsyet e moslëshimit të urdhërit të mbrojtjes për 25-vjeçaren, Hajna i shpjegon me tërheqjen e kallëzimit nga vetë vajza.

“Situatat e krijuara nga tërheqja e denoncimit të shtetases, nuk i kanë dhënë policisë mundësi ligjore për të ofruar urdhërin e mbrojtjes”.

Emiljano Nuhu rezulton të ketë shkelur procedurat edhe sipas verifikimit të bërë nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme që ka rrëzuar pretendimet e dhëna nga ish-oficeri në një intervistë për mediat lokale.

“Nga 11 veprime hetimore të deleguara nga prokurori i çështjes, Emiljano Nuhu ka kryer vetëm 4 prej tyre”.

Nga shqyrtimi i urdhërave të brendshëm, librave të shërbimit e denoncimit, kamerave të disa bizneseve si dhe dëshmitë e mbi 20 punonjësve të policisë, u arrit në përfundimin se Nuhu nuk ka qenë në shërbim në datën 21 Korrik kur ai pretendon se është kërcënuar me pistoletë në kokë nga vëllai i deputetit Rrahman Rraja në prani edhe të deputetit Taulant Balla.

“Asnjë nga personat e pretenduar nuk ka qenë në komisariat”.

Sipas Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, largimi nga deyra dhe më pas ikja jashtë vendit e ngarkojnë edhe me akuzat e shpërdorimit të detyrës, kalimit të paligjshëm të kufirit, nxjerrje të sekretit hetimor dhe armatimit personal.

Akuzat për Nuhun:

  1. Shpërdorim detyre

  2. Kalim i paligjshëm i kufirit

  3. Nxjerrje e sekretit hetimor

  4. Shkelja e procedurave të punës në hetimin e çështjeve

  5. Shkelja e rregullave mbi armatimin personal të punonjësit të Policisë së Shtetit

Tv Klan