Në bazë të urdhrit nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë për kontrollet e kamerave, të cilat janë vendosur në mënyrë të jashtëligjshme, edhe drejtoria  vendore e Policisë së Korçës është duke identifikuar rastet e shkeljes.

Gazetarja Daniela Zisi raporton se deri në këto momente janë hequr 31 kamera në qytetin e Korçës dhe atë të Pogradecit. Kontrollet do të vijojnë edhe në qytetet e tjera të juglindjes dhe nëpër fshatra.

Sipas policisë, kamerat janë vendosur nga banorë të zonës që i kanë instaluar pranë banesave të tyre. Do hiqen ato që janë të pozicionuara për të filmuar në rrugë dhe ambiente publike dhe që cënojnë privatësinë e të tjerëve, ndërsa ato që janë të pozicionuara tek prona e tyre nuk mund të hiqen.

Policia e Korçës bën të ditur se nuk ka grupe personash që në mënyrë të organizuar të kenë vendosur kamera në rrugë, kryqëzime apo rrethrrotullime.

Policia e Shtetit ka nisur verifikimin e kamerave të sigurisë që dyshohet se janë instaluar dhe përdoren nga grupet kriminale. Ky operacion është shtrirë edhe në Vlorë.

Aksioni vjen pasi në Shkodër u sekuestruan disa kamera ë dyshohet se ishin instaluar nga grupet kriminale në lagjet “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”.

Për gjetjen e personave që i kishin vendosur ato në këto zona, në polici janë shoqëruar disa persona, por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit. Identifikimi i personave të cilët kanë vendosur këto kamera është një mision tejet i vështirë për policinë, pasi komandimi i tyre bëhej përmes celularit.

Sipas uniformave blu qëllim i instalimit të këtyre kamerave ishte sigurimi i informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.

/tvklan.al