Policia e Tiranës me anë të një deklarate zyrtare për mediat njoftoi se kishte arritur të shkatërronte një grup kriminal dhe të zbulonte 18 baza që shërbenin që shërbenin për modifikimin, magazininin dhe furnizimin e armëve të grupeve kriminale në gjithë vendin dhe zbardhjen e 3 ngjarjeve kriminale të ndodhura në kryeqytet.

Mes ngjarjeve të zbardhura sipas policisë rezulton të jetë dhe ajo e 18 Tetorit 2019 ku u tentua të vritej me eksploziv të telekomanduar kunati i Domart Konjarit, Artan Bylyku. Sipas policisë, autorë të kësaj ngjarje janë Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Ermond Jamaku, Enver Jamaku, Sokol Xhura, dhe Akil Kulla.

Çfarë ndodhi më 18 Tetor 2019?

Një shpërthim tritoli për pak sa nuk i mori jetën Artan Bylyku. Në automjetin e tij ishte vendosur një sasi e konsiderueshme eksplozivi e cila u shpërthye në mënyrë të telekomanduar në orët e para të mëngjesit në rrugën “Ramazan Bogdani”.

50-vjeçari kishte pak ditë që ishte kthyer nga Gjermania, ndërsa nga hetimet paraprake u mësua se lënda eksplozive ishte vendosur në pjesën e përparme dhe poshtë bagazhit të mjetit të tij luksoz. Shpërthimi shkaktoi panik tek banorët e zonës, kjo për shkak se në kohën kur ndodhi ngjarja zona ishte e mbipopulluar.

Frika se në automjet mund të kishte ende eksploziv bëri që forcat xheniere të kryenin shpërthim të kontrolluar.

Artan Bylyku u mor në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por ka mohuar të ketë konflikte me persona të tjerë. Hetuesit dyshuan atëherë se autorët kanë dashur të eliminojnë 50-vjeçarin pasi sasia e eksplozivit ka qenë e madhe. Pronari i automjetit nuk rezulton me precedent penal, por policia dyshonte se ngjarja mund të lidhet me faktin se ai është kunati i Domart Konjarit, një emër i njohur për policinë i cili i ka shpëtuar drejtësisë shqiptare dhe asaj franceze.

I dënuar në Francë për “Trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijimi i organizatave kriminale”, Konjari u arrestua në Shqipëri në Nëntor të vitit 2015, por Apeli i Krimeve të Rënda zbuti masën ndaj tij nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”. Por pas kësaj Konjari u arratis./tvklan.al