U ekzekutua me 1 plumb, shpallet në kërkim autori

Madrit Ulqinaku kishte disa javë që ndodhej në Shqipëri për pushime, kur një konflikt banal me 3 persona i mori jetën mbrëmjen e të mërkurës. Policia tha zyrtarisht se Ulqinaku është konfliktuar verbalisht me dy 18-vjeçarë dhe mikun e tyre 33 vjeç.

Vetëm pak minuta më pas, pas debatit verbal me të shara me njëri-tjetrin, 18-vjeçari i identifikuar Horgito Peqini ka qëlluar me armë zjarri Madrit Ulqinakun, duke e lënë të vrarë më vend.

Policia arrestoi vetëm në prej personave të përfshirë në sherr, Ejden Dino, pasi iu gjet me vete një thikë dhe një dorezë hekuri, teksa shpalli në kërkim autorin 18 vjeç dhe një 33-vjeçar, Klaudjan Sallufi.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 22:00 të së mërkurës në lagjen ‘Kongresi’, teksa Ulqinaku po hipte në mjetin e tij për t’u larguar.

Madrit Ulqinaku nuk rezulton i skeduar për Policinë e Elbasanit, teksa 3 të rinjtë e tjerë njihen për lidhjet me persona problematik dhe armëmbajtje pa leje.

Një detaj tjetër i rëndësishëm është fakti që gëzhoja e armës me të cilën u qëllua Ulqinaku nuk është gjetur ende, teksa grupi hetimor vijon kërkimet në vendngjarje.

Tv Klan