Policia e Tiranës thotë se ka mundur të zbardhë ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në Laprakë, ku humbi jetën një adoleshente dhe një 23-vjeçar mbeti i plagosur.

Sipas një njoftimi për mediat, policia sqaron se është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të vrasjes së 17-vjeçares Briselda Gjinkola dhe plagosjes së Erion Bengës. Megjithatë, policia thotë se për arsye hetimore nuk mund të japë më shumë të dhëna të tjera.

Ishte ora rreth 18:17 minuta, kur autori iu afrua çiftit të ri, që ndodhej brenda një makine dhe qëlloi në drejtim të tyre.

Adoleshentja mori të paktën një plumb në kokë, ndërsa 23-vjeçari mori një plumb në shpatull. Ishte pikërisht ky i fundit i cili e transportoi 17-vjeçaren në spitalin e Traumës. Fatkeqësisht ajo nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë. Ndërsa 23-vjeçari Benga ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten ende të panjohura. Në njoftimin e saj, Policia e Tiranës thotë se pas tyre dyshohet se qëndrojnë motivet e dobëta. Autoritetet vijojnë punën për kapjen e autorit dhe vënien e tij para përgjegjësisë ligjore.

/tvklan.al