Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit në Shqipëri, për variantin europian të medias prestigjioze amerikane Politico, tregon jo thjeshtë një fitore të shumicës qeverisëse përballë opozitës. “Rama zhdëp kundërshtarët e lidhur me MAGA-n“, siç njihet shkurt lëvizja politike e Donald Trump-it, është titulli i artikullit që pasqyron rezultatin e votimeve të së dielës.

Në një intervistë që Rama i dha pas qartësimit të rezultatit, Politico veçon ndër të tjera një citat të tij, ku ironizon zgjedhjen e koalicionit opozitar të Partisë Demokratike “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për të marrë si këshilltarë në fushatë, ideatorin e strategjisë së rikthimit të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, një fakt që sipas artikullit, nuk e shqetëson Ramën.

“Të punësosh LaCivita-n dhe të mendosh se mund të bëhesh Trump është si të punësosh një berber të Hollywood-it dhe të mendosh se do të bëhesh Brad Pitt”, tha Rama.

Kryesocialistit, vijon më tej Politico, i bën përshtypje që demokratët besuan se “vetëm se dikush punon për Trump-in, mund të bartë fuqitë e tij magjike”. “Në çdo rast, kjo është një komedi që ia vlen të shihet”, citohet më tej Rama.

Duke shpresuar në një rikthim politik të ngjashëm me atë të Trump-it në vitin 2024, Partia Demokratike e qendrës së djathtë solli strategun e fushatës së Trump, LaCivita, për të drejtuar fushatën e tyre, shkruaj Politico.

Ajo thekson se LaCivita u dha zë pretendimeve të Berishës për manipulim zgjedhor në një postim në rrjetin X, duke ndarë një raport nga mediat vendase në lidhje me një zyrë të dyshuar për blerje votash të Partisë Socialiste të vendosur pranë një qendre votimi në Tiranë.

“Ja se si duket vjedhja e votave në Shqipëri… me mirësjellje të qeverisë së drogës të Edie Ramës”, thuhej në postimin e LaCivitës.

Politico e konsideron “historik” mandatin e katërt qeverisës që Rama siguroi në këto zgjedhje me 82 deputetë, disa herë më shumë se shumica e nevojshme prej 71 vendesh në parlament që nevojiten për miratimin e qeverisë. Rama e përqendroi fushatën tek premtimi për ta anëtarësuar vendin në Bashkimin Europian brenda 2030-ës.

Tv Klan