Kryeministri Rama i ka mposhtur kundërshtarët e tij politike te lidhur me lëvizjen e Presidentit Trump e quajtur MAGA duke siguruar mandatin e 4-t qeverisës historikë në Shqipëri.

Me këtë titull portali POLITICO komenton rolin e strategëve amerikanë në përkrahje të rikthimit në pushtet të Sali Berishës, mision ky që rezultoi i dështuar. Vetë Rama tha për POLITICO se të punësosh strategun e fushatës së Donald Trump dhe të mendosh se mund të bëhesh Trump “është si të punësosh një parukier në Hollywood dhe të mendosh se do të bëhesh Brad Pitt”.

Fakti që demokratët kishin punësuar Chris LaCivitën, një maestro të fushatës republikane i cili organizoi fitoren që riktheu në pushtet Donald Trump në zgjedhjet amerikane të vitit 2024, nuk dukej se e shqetësoi Ramën. 

“Është përvoja më përulëse e jetës sime që vjen në një moment historik për Shqipërinë si një shtet anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Të punësosh LaCivitën dhe të mendosh se mund të bëhesh Trump është si të punësosh një parukier në Hollywood dhe të mendosh se do të bëhesh Brad Pitt. Jam i habitur nga demokratët për besimin se vetëm pse dikush punonte për Trumpin, ai mbarte një lloj fuqie magjike të Trumpit në shoqëri sidoqoftë, ishte një komedi që ia vlente ta shihje”, thotë Rama.

Strategu i fushates LaCivita ndihmoi Berishën në hartimin e mesazhit të tyre dhe në drejtimin e fushatës elektorale. Ai i përforcoi pretendimet e Berishës për manipulim zgjedhjesh me në një postim në X, ku publikoi pamje nga një zyrë të dyshuar për blerje votash të Partisë Socialiste të vendosur pranë një qendre votimi në Tiranë.

“Ja si duket vjedhja e votave në Shqipëri nga narkoqeveria e Edi Ramës”, thuhej në postimin e tij.

Për vete Ramën, i cili po shijon fitoren e tij, vetëm një gjë ishte e rëndësishme: “ndjenja e votuesve.”

“Ata kanë dërguar një mesazh të fuqishëm dhe të thjeshtë: Ne duam të arrijmë më në fund lartësitë e Bashkimit Evropian dhe mund ta bëjmë këtë vetëm me ju dhe me Partinë Socialiste!”, thotë Rama.

Misioni i monitorimit të zgjedhjeve i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha të hënën se zgjedhjet u zhvilluan në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Edi Rama, thekson gazetarja e POLITICO, ia doli mbanë duke luajtur rolin e mikpritësit të sjellshëm ndaj udhëheqësve perëndimorë dhe duke përforcuar premtimin e tij kryesor zgjedhor, se ai është i vetmi person që mund ta çojë Shqipërinë në prag të anëtarësimit në BE brenda pesë vjetësh. Rama e bëri një aspekt kyç të fushatës së tij premtimin për anëtarësimin e vendit në BE deri në vitin 2030.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, do të udhëtojnë për në Shqipëri për edicionin e gjashtë të samitit një iniciativë e nisur nga Presidenti francez Emmanuel Macron për të grupuar vendet e BE-së dhe ato jashtë saj për bisedime mbi sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.

“Është një nder i madh të mirëpresim të gjithë liderët e kontinentin tonë demokratik në Tiranë përfshirë Ukrainën dhe mikun tim të dashur Volodymyr Zelenskyy” ka deklaruar për POLITICO fituesi i zgjedhjeve të së dielës Edi Rama.

I pyetur nëse Shqipëria kishte ndonjë këshillë për Ukrainën, e cila është aspirante për në BE, Rama theksoi statusin unik të këtij shteti në procesin e integrimit.

“Shqipëria nuk pretendon t’i japë mësime Ukrainës. Përkundrazi, ne mund të mësojmë vetëm nga Ukraina nga çmimi që populli i saj është i gatshëm të paguajë për rrugën e tij drejt Perëndimit dhe Bashkimit Evropian”, thotë Rama.

Kjo do të jetë vizita e dytë e Presidentit ukrainas Volodimir Zelensky në vendin tonë.

Klan News