Begaj: Jemi dy shtete, por një komb. Rama: Gëzuar Kosovë!

“Dy shtete, por një komb”, është mesazhi që politika në Tiranë përcjell ndaj Kosovës, në 16-vjetorin e Pavarësisë së saj. Presidenti Bajram Begaj, e vlerëson si një shtet të rëndësishëm në rajon, që ka treguar ndër vite aftësinë për të ndërtuar shtet sipas parimeve demokratike.

Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë. Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete moderne sipas parimeve demokratike, në bashkëpunim e bashkërendim me partnerët tanë, SHBA-në dhe BE-në.”

Kryeministri Rama zgjodhi që urimin e tij ta përcjellë me një foto të parakalimit të forcave të sigurisë së Kosovës, ndërsa në sfond qëndron porteti i Presidentit Ibrahim Rugova.

Mesazhe urimi për pavarësinë përcolli edhe Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.

Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë dhe Kuvendit. Institucionet e vendit dhe gjithë qytetarët janë në krah të popullit dhe institucioneve të Kosovës në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike, të cilat arrihen në koordinim dhe me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj.”

Ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani, urimin dhe përshëndetjen e tij për Kosovën e ka shoqëruar me një video ku shfaqen heronjtë e Kosovës dhe momentet e para të fitores së Pavarësisë.

Klan News