Politika greke në “flakë”


Politika greke në “flakë”

20:35 09/08/2020

Dora Bakojanis akuzon qeverinë se po bën tradhti kombëtare

Marrëveshja mes Greqisë dhe Egjiptit për ndarjen e kufijve detarë dhe përcaktimin e zonave ekskluzive ekonomike, jo vetëm ka sjellë një furtunë të vërtetë në politikën greke me akuza për tradhti kombëtare, por sytë janë kthyer edhe nga Shqipëria. Ish-Ministrja e Jashtme, Dora Bakojanis, aktualisht deputete e partisë së djathtë në pushtet, Demokracia e Re, ka kërkuar ratifikimin e menjëhershëm nga parlamenti grek pas pushimeve verore me 25 Gusht të marrëveshjes greko-egjiptiane, në mënyrë që teksti të regjistrohet sa më parë në Kombet e Bashkuara dhe që të shmanget situata që ndodhi në vitin 2009, kur marrëveshja me Shqipërinë nuk u ratifikua për shkak të ndërhyrjes turke.

Kjo marrëveshje e rrëzuar nga ish-Gjykata Kushtetuese Shqiptare, për Bakojanis zbatonte në mënyrë shembullore parimin e vijës së mesme, në delimitimin e zonave detare. Ndryshe nga zonja Bakojanis, ish-Ministri i Jashtëm Kotzias ka deklaruar se marrëveshja për kufirin detar me Egjiptin dobëson pretendimet e Greqisë, në negociatat e pritshme me Shqipërinë dhe Turqinë për një pakt të ri për detin.

Kotzias thekson se marrëveshja që Egjipti ka nënshkruar me Qipron greke është bërë nën principin e “kufirit të mesëm”, ndërsa me Greqinë ka marrë parasysh gjatësinë e bregut duke përfituar në raportin 60 me 40 përqind në disfavor të Athinës. Për këtë humbje hapësire detare në raport me Egjiptin, Kotzias përmend ndikimin e kufizuar që iu dha ishujve si Rodos, Karpathos dhe Kretë.

“Fatkeqësisht, marrëveshjet si ajo me Italinë dhe kjo e fundit me Egjiptin, dobësojnë pozitën e ardhshme negociuese greke si me Shqipërinë, aq edhe më shumë me Turqinë. Greqia bëri leshime, ndërsa Egjipti nuk ka hedhur hap pas në asnjë pikë duke humbur rëndësia e ishujve greke. Greqia, me një zonë bregdetare prej 6 kilometrash me ishujt e saj, ka hequr dorë nga e drejta për t’u zgjeruar në të gjitha pikat”, tha Kotzias.

Klan Plus




Të ngjashme