Raporti i BSH: Rritja ekonomike këtë vit do ngadalësohet, inflacioni në objektiv brenda 2024

Përgjatë vitit 2022 Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë të interesit pesë herë, nga niveli 0.5% në fillim të vitit, në nivelin 2.75% në fund të tij.

Në raportin vjetor të depozituar në Parlament, Banka e Shqipërisë e vlerëson atë si një masë të domosdoshme për kontrollin e inflacionit por edhe frenimin e kredive me probleme.

“Në mungesë të reagimit të politikës monetare norma e inflacionit do të ishte rreth 0.4 % më e lartë në vitin 2022, dhe mesatarisht 6.5 % më e lartë gjatë viteve 2023 dhe 2024; kursi i këmbimit të lekut kundrejt euros do të ishte më i nënçmuar, duke sjellë një rritje të kredive me probleme me 1.4 pikë përqindje për vitin 2022 dhe mesatarisht me 5.6 % gjatë viteve 2023 dhe 2024”.

Inflacioni mesatar i vitit 2022 rezultoi në nivelin 6.7%. Banka e Shqipërisë vlerëson se masat e marra do të ndihmojë në stabilizimin e ekonomisë dhe në kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2024.

“Perspektiva ekonomike e vendit është pozitive. Rënia e inflacionit gjatë dy muajve të parë të vitit 2023 sinjalizon se ai ka shënuar një pikë kthese, e cila pritet të vazhdojë. Parashikimet e BSh-së tregojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2024. Rënia e inflacionit do të mbështetet nga stabilizimi i çmimeve në tregjet globale dhe nga efektet e kursit normalizues të politikës monetare. Aktiviteti ekonomik parashikohet të ngadalësohet gjatë vitit 2023, por të vijojë të shënojë ritme pozitive rritjeje”.

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, aktiviteti ekonomik u rrit me mesatarisht 4.2% gjatë tre 3-mujorëve të parë të vitit 2022, pas rritjes me 8.5% në vitin 2021. Kontributi kryesor në rritjen ekonomike ka ardhur nga zgjerimi i aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe në atë të ndërtimit, ndërkohë që sektorët e industrisë dhe të bujqësisë kanë pasur një ecuri më të ngadaltë dhe më të luhatshme.

Konsumi privat regjistroi normën më të lartë të dhjetë viteve të fundit dha mbështetjen kryesore në rritjen ekonomike.

Klan News