Vdekja e Papa Françeskut është përcjellë me pikëllim dhe në Shqipëri, vendin që Ati i Shenjtë zgjodhi për të parën vizitë pasi u zgjodh në krye të Vatikanit.

Për vdekjen e shenjtërisë se tij ka reaguar dhe politika. Kreu i shtetit mesazhin e dha në rrjetet sociale.

“Shenjtëria e tij, Papa Françesku, sot u ngjit në qiell, pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në tokë: dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari e çdo feje. Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. U bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe”, tha Begaj.

Kryeministri u njoftua për largimin nga jeta të Papa Françeskut gjatë një mitingu elektoral në Kavajë.

“Me erdhi një mesazh. Më vjen keq se më erdhi një mesazh këtu tani dhe më vjen shumë keq! Ka ndërruar jetë Ati i Shenjtë Papa Françesku, një njeri i jashtëzakonshëm”, tha Rama.

Rama zbuloi bisedën me Papën në një nga audiencat që ka patur mundësi të ketë me Atin e Shenjtë.

“Unë kam pasur një raport personal me të. Më çonte vazhdimisht mesazhe me Arqipeshkvin. Më kujtohet që në takimin e dytë e pyes i them “At i Shenjtë më duket se shumë armiq ke bërë, duke thënë gjëra që nuk i ka thënë kurrë një Papë”. Dhe s’e harroj kurrë, më tha “kryeministër, nëse nuk i them ato që kam për të thënë tani që kam kohën me njerëzit, kur do t’i them dhe kujt do ia them, krimbave kur të shkoj në varr”?”, tha Rama.

Edhe kreu i opozitës mesazhin e ngushëllimit për vdekjen e Papa Françeskut e dha në një takim elektoral në Pukë.

“Ai zgjodhi ta vizitonte Shqipërinë të parin vend jashtë Vatikanit që vizitoi, pasi u zgjodh Papë. Pas një takimi që patëm së bashku një takim të paharrueshëm, në Shqipëri kaloi një ditë që ai vetë e konsideronte të paharrueshme. Tha dhe atë fjalën e paharrueshme që “Shqipëria nuk ka harmoni fetare, por ka vëllazëri fetare”. Ishte një Papë ndryshe nga të tjerët dhe besoj që kam mirëkuptimin tuaj ta nderojmë me një minutë heshtje dhe ta mbyllim këtu takimin. U prehtë në paqe”, tha Berisha.

Tv Klan