Sipërmarrësi i njohur Hetem Ramadani ka qenë i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku ka folur për ushqimin dhe përfitimet që marrim nga ai. Ndër të tjera Hetemi ka treguar edhe arsyen pse politikanët bëjnë luftë në parlament me njëri-tjetrin. Sipas tij ata zihen sepse ushqehen keq dhe flenë pak.

Rudina Magjistari: Ju kam dëgjuar diku në një nga fjalimet e tua kur ke thënë “kur politikanët bërtasin në parlament, bërtasin sepse një ditë më përpara nuk janë ushqyer mirë.

Hetem Ramadani: Politikanët tanë apo ata në botë ushqehen gabim. Meqë i njoh shumicën personalisht ushqehen gabim, hanë shumë . Që kur kanë ardhur në pushtet dhe deri kur dalin, nëse nuk kanë bërë ndonjë ndërhyrje, kanë shtuar në peshë. Problemi i dytë është kur hamë. Të gjithë këta politikanë hanë pasi të mbarojnë punët e tyre dhe flenë shumë pak. Gjumi është faktori kryesoj sa jetojmë. Sa më pak flemë aq më pak jetojmë, gjumi është njësoj si ushqimi, janë të lidhura, nëse je ushqyer gabim ti nuk fle rehat, nëse nuk fle rehat, mundësitë për kancer janë më të larta.

Kur ha shumë vonë, nuk pritet që prej tyre të nesërmen në parlament në foltore të flasin pa agresivitet dhe revolta e tyre ndaj opozitës është revoltë ndaj vetvetes. Domethënë po të jenë të qetë, po të jenë në paqe me veten, paqja varet si janë ushqyer, sa kanë fjetur, çfarë frymëmarrje kanë pasur. Po t’i shikosh këta politikanë, kanë frymëmarrje të shkurtër dhe të shpejtë. Nëse ne hamë në orën 8, 9, 10, 11 të natës atëherë s’ka gjumë, energji ose mendime kreative për të zgjidhur situata shumë komplekse familjare, personale apo të popullit.

Mos presim ne që një politikan që nuk është ushqyer mirë, që nuk ka fjetur mirë, ka frymëmarrje të çrregulluar e del aty për të treguar paqe me opozitën. Opozita është veç simbol për të shprehur atë që ka brenda. Lufta në parlament është manifestim i kequshqyerjes. /tvklan.al