Pjesa dërrmuese e politikanëve kanë vendosur të përqendrohen në kryeqytet natën e madhe të ndërrimit të viteve.
Kabineti qeverisës nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha do të vazhdojë punën deri në pasditen e datës 31 Dhjetor, më pas shefi i qeverisë do t’i bashkohet familjes së tij po kështu dhe një pjesë e mirë e ministrave kanë vendosur të mos largohen nga Tirana duke përfshirë këtu dhe kreun e Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli.
Një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike do ta kalojnë natën e Vitit të Ri pranë zonave të tyre elektorale, ndërkohë ish kryeministri Fatos Nano ndodhet në Shtetet e Bashkuara.
Flitet se natën e Vitit të Ri ish lideri socialist do ta festojë në Teksas, por në Amerikë kalon Vitin e Ri dhe kryetari aktual i socialistëve, Edi Rama, për arsye familjare. Ndërsa pjesa tjetër e drejtuesve të selisë rozë kanë vendosur të qëndrojnë në Tiranë.
Namik Dokle: “Vitin e Ri do e kaloj në qetësinë familjare këtu në Tiranë si gjithmonë. I uroj të gjithë shqiptarëve një vit të mbarë, një vit të gëzuar dhe mbi të gjitha një vit të qetë sepse mbyllja e këtij viti me veprimet anti-kushtetuese dhe absurde të qeverisë Berisha nuk premton për një vit të qetë.”
Ermelinda Meksi: “Do ta kaloj me familjen time dhe me miq të familjes. Pjesërisht në shtëpi dhe pjesërisht në një lokal në periferi të Tiranës. Një Vit të Ri 2006 sa më të lumtur në paqe dhe mbarësi për të gjithë dhe sa më pak probleme dhe sa më shumë gëzime.”
Gramoz Ruçi: “Absolutisht vetëm në shtëpi.”
Drejtuesit e partive të majta uruan njëri-tjetrin në selinë rozë. Socialdemokratët do të jenë pranë selisë së tyre natën e ndërrimit të viteve, por urimet ndaj dashamirësve do të shkëmbehen me celular.
Skënder Gjinushi: “Me përshëndetje telefonike dhe me SMS. Viti i Ri, plaku i Vitit të Ri ka menduar për mua. Familjarisht në Tiranë.”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, do të udhëtojnë drejt jugut të Shqipërisë për të festuar në Sarandë natën e Vitit të Ri./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj