Presidenti Ilir Meta nuk ka komentuar deklaratat e ish-kryeministrit Fatos Nano që i bëri gjatë që bëri gjatë një interviste të rrallë në emisionin “Opinion”. Gjatë një prononcimi të shkurtër për gazetarët këtë të shtunë kreu i shtetit tha se nuk ka asnjë koment për çështje që sipas tij nuk ekzistojnë.  

“Zero koment për çështje të cilat nuk ekzistojnë, problem kryesor mbetet sot përballimi i pandemisë dhe mbështetje e gjithë personelit shëndetësor për përballimin e fluksit të të infektuarve”, tha Meta.

Meta refuzoi të komentonte pyetjen e gazetarëve nëse e sheh Fatos Nanon si pasardhës të tij në Presidencë.

Ish-kryeministri Fatos Nano tha gjatë intervistës për Blendi Fevziun se Presidenti aktual është politikani ku ai shikon shtatë mëkatet e Biblës si zilia, grykësia etj.

Fatos Nano: Më lerë ta mbyll kapitullin e Ilir Metës, duke të thënë që nuk ka politikan tek i cili unë shoh pjesën më të madhe të mëkateve, të 7 mëkateve kapitale, është Presidenti i sotëm.

Blendi Fevziu: Është Presidenti i sotëm?

Fatos Nano: Të shtatë mëkateve të biblës, ligësia, grykësia…

Nano u shpreh se është një njeri që i lë punët në mes dhe të vë stërkembëshat. Nano tha se Metës i ka dhënë mbështetjen më të madhe, por ai gjithmonë e kishte tradhtuar. Po ashtu ai shtoi se nuk ka më kontakte me Metën dhe se nuk “i mungon”.

Pjesë nga intervista e Fatos Nanos

Çfarë ndodh nëse fiton mazhoranca zgjedhjet? Presidenti: Mjerë ai që i del përpara trenit të integrimit europian

Presidenti Ilir Meta pati një prononcim të shkurtër për gazetarët këtë të shtunë ku u pyet se nëse do të vazhdojë bashkëpunimin me mazhorancën nëse kjo e fundit fiton zgjedhjet më 25 Prill.

Meta u shpreh se 25 Prilli do të jetë një referendum i popullit dhe siguroi se do të jetë i përkushtuar për integrimin e Shqipërisë.

“Treni i integrimit është nisur, mjerë ai që i del përpara”, tha Meta.

“Besoj se kam qenë dhe jam i qartë se 25 Prilli do të jetë referendum i qartë i popullit për të ardhmen europiane. Jam besimplotë për këtë gjë dhe do të vazhdoj të jem i përkushtuar për integrimin e Shqipërisë. Treni i integrimit është nisur, mjerë ai që i del përpara sepse nuk ndalet më jo më 25 Prill, por as pas 25 Prillit”, tha Meta.

Meta u shpreh nga Shkodra se liderët politikë që do të tentojnë të fusin figura me probleme me ligjin në zgjedhje do të ndëshkohen nga populli.

“Fakti që ne kemi miratuar një ligj për dekriminalizimin është një tregues i qartë i një problemi tepër serioz dhe fenomeni tepër kritik. Se kush i ka promovuar, se kush i merr në mbrojtje, kjo dihet. U bëj thirrje të gjithë forcave politike të distancohen nga persona që kanë pasur probleme me dekriminalizimin dhe të promovojnë sa më shumë figura  të reja, figura me integritet dhe së dyti dua t’i siguroj që populli shqiptar do jetë i qartë për ti ndëshkuar me votë ata që do të përpiqen të marrin direkt apo në mënyrë indirekte persona të tillë thjesht për disa vota më shumë”, tha Meta./tvklan.al