Ish-kryeministri Fatos Nano për Presidenti Ilir Meta shprehet se është një njeri që i lë punët në mes dhe të vë stërkembëshat. Në një intervistë të rrallë përballë gazetarit Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Nano tha se Metës i ka dhënë mbështetjen më të madhe, por ai gjithmonë e kishte tradhtuar.

Më tej ai thotë se Presidenti aktual është politikani që ai shikon si politikanin që  shikon shtatë mëkatet e Biblës, si zilia, grykësia etj.

Blendi Fevziu: Një nga personazhet e tjerë që ka dalë, është një nga produktet tuaja, edhe pse ai ka pasur një karrierë të vetën, është Ilir Meta. Kur e pyet ai thotë se ka një raport normal me Fatos Nanon, në  fakt çfarë raporti keni dhe si e gjykoni atë tani?

Fatos Nano: Ta nis nga fundi, nuk kam asnjë raport sot. As fizik asgjë.

Blendi Fevziu: As kontakte, as jepni dhe merrni mesazhe.

Fatos Nano: Fare. Dhe nuk më mungon.

Blendi Fevziu: Në ç’kuptim nuk iu mungon?

Fatos Nano: Sepse Ilir Meta është një nga përfituesit e mëdhenj të mbështetjes time.

Blendi Fevziu: Edhe të kontributit të tij se ka pasur një peshë jo të vogël në PS.

Fatos Nano: Unë thash nga ata që kam mbështetur, nuk është thash se është bërë vetëm nga mbështetja ime. Është një nga përfituesit më të mëdhenj. Qysh nga FRESSHI, nga qeveria e parë, Komiteti i Partisë të Tiranës, i dhashë degën e partisë së Tiranës të tregojë. Të gjithë thonin se është rivali i Nanos, por filozofia ime ishte të integroja dhe ata që mendonin ndryshe. E deri tek qeveria e fundit. Ilir Meta u bë kryeministër në 1999, pas një marrëveshje me mua. Dhe mbeti i tillë deri kur dha dorëheqjen 2002, sepse kemi Pandin që nuk të lë të gabosh se ai vjen mbrapa. Ai mendoi se bashkë me krizën energjetike do hante dhe kokën e Fatos Nanos. Pra sapo ishte marrë vesh që do të vazhdonte drejtimin e qeverisë, kur papritur më thotë ‘e deshe merre mbaje me gjithë krizë’. Kaloi sa kaloi dhe erdhi prapë tek zgjedhja e Moisiut. Në një mënyrë apo në një tjetër më afroi me Berishën dhe më afroi me Metën. Dhe bëmë marrëveshje për të hyrë bashkë në qeveri.

Blendi Fevziu: Pse u prishët sërish?

Fatos Nano: Meta ka pasur gjithmonë planin B në mendje. Ka qenë inaktiv, sikur nuk ekzistone në qeverinë e 2002-2005. Iku në 2003, nuk merrte pjesë në diskutime, ka folur vetëm njëherë kur blemë ambasadën tonë në Athinë.

Blendi Fevziu: Cili ishte plani B i Metës?

Fatos Nano: Plani B ishte ai paralajmërova që në fillim Ilirin, “Ti e ke zakon që të lë në mes të rrugës dhe të fut stërkembëshat”. Jo e kam seriozisht këtë herë më tha. Ky ka qenë plani B, që të ndërpriste punët e qeverisë në mes.

Blendi Fevziu: Po si President si e gjykoni.

Fatos Nano: Më lerë ta mbyll kapitullin e Ilir Metës, duke të thënë që nuk ka politikan tek i cili unë shoh pjesën më të madhe të mëkateve, të 7 mëkateve kapitale, është Presidenti i sotëm.

Blendi Fevziu: Është Presidenti i sotëm?

Fatos Nano: Të shtatë mëkateve të biblës, ligësia, grykësia…

Blendi Fevziu: E thoni këtë se ai u largoi përfundimisht nga politika?

Fatos Nano: Jo. E them se e shoh përditë, u jep prova të gjithëve përditë./tvklan.al