Polonia dhe Hungaria bllokojnë miratimin e buxhetit të BE

Tryeza e BE

Polonia dhe Hungaria bllokojnë miratimin e buxhetit të BE

17:07 16/11/2020

Polonia dhe Hungaria kanë bllokuar miratimin e buxhetit të BE, pasi sipas klauzolës përdorimi i fondeve të përbashkëta lidhet ngushtë me respektimin e ligjeve në vendet e unionit.

Paketa financiare e propozuar nga BE kapte vlerën e 750 miliardë Euro, ku një pjesë e madhe e këtyre fondeve do të përdorej për rimëkëmbjen e ekonomive nga kriza globale e COVID-19.

Përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare u takuan në Bruksel dhe nuk arritën që të gjenin gjuhën e përbashkët për t’i hapur rrugë miratimit të buxhetit, pasi Hungaria dhe Polonia vendosën veton e tyre.

Lidhur me këtë ngjarje, por dhe me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike në këto dy vende, BE ka nisur një hetim. Po ashtu këto dy vende janë përfolur për një sistem gjyqësor të korruptuar, për media jo të lira dhe shoqëri civile të nënshtruar ndaj pushtetit.

Nga ana tjetër buxheti për rimëkëmbjen ekonomike ishte miratuar në parim në korrik të këtij viti, ku vendet anëtare kishin rënë dakord për një paketë ekonomike të bollshme.

Përfaqësuesit e dy vendeve kanë reaguar lidhur me vendimin e tyre dhe janë shprehur se çështja e sundimit të ligjit është një pretekst nga vendet e unionit. Këtë buxhet Hungaria dhe Polonia e quajnë një skllavëri institucionale, politike dhe një kufizim të sovranitetit./tvklan.al





Të ngjashme