Pavarësisht paralajmërimit nga Brukseli, Senati polak miratoi mbrëmjen e së premtes ligjin e fortdebatuar për reformën në drejtësi, që i jep fuqi qeverisë së vendit për të emëruar gjyqtarë në Gjykatën Supreme.

Gjatë seancës maratonë që zgjati 15 orë, sheshet e kryeqytetit Varshavë dhe qyteteve të tjera u mbushën nga manifestues që kundërshtuan ligjin.

Qindra mijëra qytetarë protestuan me pankarta, duke i quajtur tradhtarë senatorët dhe i bënë thirrje presidentit Adrej Duda të mos e dekretojë ligjin. Stafeta i kaloi tashmë kreut të shtetit polak, i cili ka 21 ditë kohë të vendosë.

Të mërkurën, zv.Presidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans paralajmëroi Poloninë se do t’i hiqet e drejta e votës nga Bashkimi Europian nëse nuk nuk tërhiqet nga reformat, të cilat, siç tha ai, do të minonin pavarësinë gjyqësore të vendit. Numri 2 i Komisionit Europian tha se po shqyrtohet e ashtuquajtura “mundësi bërthamore”, e cila parashikohet në nenin 7 të Traktatit të Bashkimit Europian.

Tv Klan