Polonia nis ndërtimin e murit në kufirin me Bjellorusinë




Polonia nis ndërtimin e murit në kufirin me Bjellorusinë

21:45 27/01/2022

Projekti do kushtojë 394 milionë Dollarë

Ashtu siç kishte paralajmëruar Polonia ka filluar ndërtimin e një muri përgjatë kufirit të saj lindor, që synon të bllokojë emigrantët që vijnë nga Bjellorusia.

Muri me tela me gjemba, i lartë 5,5 metra, do të përshkojë më shumë se 180 kilometra, përgjatë pjesës tokësore të kufirit me Bjellorusinë dhe do i kushtojë Polonisë rreth 394 milionë Dollarë.

Dy kompani ndërtimi do të punojnë në të gjatë gjithë kohës, duke filluar nga katër pjesë të ndryshme, ndërsa ndërtimi pritet të përfundojë në muajin Qershor. Autoritetet polake lejuan këtë të enjte, gazetarët të shihnin punën në zonën e mbrojtur.

Presioni nga mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika në kufirin ndërmjet Polonisë dhe Lituanisë me Bjellorusinë, filloi në verën e vitit të kaluar, duke çuar në përleshje me rojet kufitare të Polonisë.

Polonia ka mbyllur kufirin e saj me Bjellorusinë, duke përdorur tela me gjemba dhe ka shtuar numrin e rojave kufitare.

Bashkimi Evropian, ka thënë se emigrantët po përdoren nga udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, për të destabilizuar bllokun 27-anëtarësh, si hakmarrje për sanksionet e Perëndimit ndaj Minskut, pas zgjedhjeve që nga ndërkombëtarët konsiderohen të manipuluara dhe si shtypje për opozitën.

Tv Klan













Të ngjashme