Pengesë për refugjatët afganë përgjatë kufirit me Bjellorusinë

Nën shembullin e Turqisë dhe Greqisë, edhe Polonia do të ndërtojë barriera kufitare kundër dyndjeve të mundshme të refugjatëve. Qeveria polake po planifikon ndërtimin e një gardhi me tela me gjemba dhe dërgimin e ushtarëve në kufijtë e saj lindorë.

Problematike është situata në kufirin me Bjellorusinë, ku ditët e fundit janë shtuar hyrjet e emigrantëve ilegalë. Dhjetëra mijëra refugjatë e emigrantë ndodhen të stacionuar në zonat kufitare mes dy vendeve.

Ata janë të ardhur kryesisht nga Afganistani, Siria dhe Iraku, vende të përfshira nga krizat gjatë viteve të fundit. Sipas ekspertëve, dyndjen më të fundit e ka nxitur vala e afganëve të cilët kanë marrë arratinë nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të talebanëve.

Kjo valë po shfrytëzohet edhe nga refugjatë të tjerë nga vendet me shumicë myslimane, kryesisht të Lindjes së Mesme.

Autoritetet në Varshavë po hartojnë edhe një paketë të re ligjore që pritet të vështirësojë procedurat e përfitimit të azilit dhe që kriminalizon kalimet ilegale të kufirit.

Polonia është pjesë e vendeve që shërbejnë si kufij të jashtëm të Bashkimit Europian, që kanë mbajtur edhe barrën kryesore gjatë dyndjeve masive të refugjatëve gjatë viteve të fundit.

Qeveria e këtij vendi ka po ashtu një qëndrim radikal ndaj të huajve dhe shpesh është kritikuar nga zyrtarët e lartë të unionit.

Tv Klan