Pompeo mbështet dyshimet për helmimin e Navalny-t


Pompeo mbështet dyshimet për helmimin e Navalny-t

12:40 10/09/2020

“Moska të hetojë ose do të marrim masa”

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo mbështet qëndrimin e Gjermanisë dhe Bashkimit Europian mbi dyshimet se Aleksei Navalni është helmuar. Në një intervistë për radiot amerikane, Pompeo u shpreh se Shtetet e Bashkuara besojnë se ekziston një “mundësi thelbësore” që kjo të ketë ndodhur.

Sipas Sekretarit Amerikan të Shtetit, është e natyrshme të mendohet për helmim të qëllimshëm të një disidenti në një vend si Rusia. Ai i kërkoi Moskës të kryejë një hetim të ndershëm mbi shkaqet e helmimit të figurës kryesore të opozitës anti Putin. Edhe Shtetet e Bashkuara do të kryejnë hetime për këtë rast, premtoi Pompeo duke paralajmëruar se do të ketë edhe reagime për përgjegjësit.

Qëndrimi i kryediplomatit amerikan shkon përkundër atij të Presidentit Trump, i cili nuk ka dashur të komentojë këtë rast.

Autoritetet gjermane thanë se Navalny që po kurohet në Berlin ku ka dalë nga gjendja e komës, u helmua me Noviçok. Ata i kërkuan Moskës të hetojë, por Kremlini hedh poshtë helmimin me Noviçok. Bashkimi Europian ka paralajmëruar sanksione ekonomike ndaj Rusisë nëse nuk heton për këtë rast.

Tv Klan





Të ngjashme