Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Mike Pompeo, ndërsa përkujtonte Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë ka përcjellë ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti katastrofik i 26 Nëntorit.

Në një deklaratë, Pompeo uron në emër të popullit amerikan shërim sa më të shpejtë të të plagosurve dhe të gjithë personave të prekur nga tërmeti.

“Ndërsa Shqipëria përkujton solemnisht Ditën e saj të Pavarësisë, ne përcjellim ngushëllimet tona më të thella për ata që humbën jetën në tërmetin e kësaj jave. Sot, lutjet tona shkojnë për familjet e tyre, si dhe për njerëzit e plagosur. Në emër të popullit amerikan, ne ju urojmë shërim të shpejtë të gjithë të prekurve. Edhe tani, ashtu si në kohë të tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të miqve tanë në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e Pompeos, e cila vazhdon më tej duke theksuar se që prej rënies së komunizmit, Shqipëria dhe SHBA-të kanë ndërtuar një partneritet gjithmonë e më të fortë.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe përgëzojnë vendosmërinë e Shqipërisë në arritjen e këtij qëllimi. Ne përshëndesim përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për të zbatuar reformat e nevojshme, përfshirë reformat që synojnë forcimin e një sistemi drejtësie të pavarur. Ne vlerësojmë thellësisht kontributet pozitive të Shqipërisë në koalicionin e NATO-s dhe mirëpresim udhëheqjen e Shqipërisë si Presidente e OSBE-së për vitin 2020. Miqësia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë qëndron si një shtyllë e qëndrueshme paqeje dhe stabiliteti, dhe ne mirëpresim akoma edhe më shumë vite miqësie dhe bashkëpunimi”, thuhet në deklaratë. /tvklan.al