Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se Washingtoni do të përdorë të gjitha mjetet ekonomike dhe politike për të ndihmuar Venezuelën.

Presidenti i kontestuar, Nicolas Maduro është duke luftuar për të mbajtur pushtetin teksa po vazhdojnë protestat masive dhe beteja politike me presidentin e vetëshpallur, Juan Guaido.

Duke folur më 14 Prill në qytetin kolumbian të Kukuta, Pompeo tha gjithashtu se vendet që mbështesin Maduron do të paguajnë çmimin.

Rusia, Irani, Kina dhe Kuba janë midis vendeve që mbështesin Maduron, ndërsa Shtetet e Bashkuara, pjesa më e madhe e Evropës dhe vendet e tjera e mbështesin Guaido.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shfrytëzojnë çdo mjet ekonomik dhe politik në dispozicion për të ndihmuar popullin e Venezuelës”, tha Pompeo gjatë ndalimit përfundimtar të një udhëtimi 3-ditor në Kili, Paraguai dhe Peru.

Ai shtoi se në mesin e masave në fjalë ishin sanksionet dhe revokimet e vizave.

Maduro, mori detyrën në 2013 pas vdekjes së Hugo Chavezit. Ai u betua për një mandat të dytë në Janar pas zgjedhjeve, të cilat u dëmtuan nga një bojkot i opozitës dhe pretendimet për manipulim të votave, duke çuar në protesta masive.

Administrata amerikane i ka thënë Moskës të tërheqë rreth 100 trupa ruse që mbërritën në vendin e Amerikës së Jugut muajin e kaluar dhe e ka akuzuar Maduron për mbajtjen afër të zyrtarëve kubanë të sigurisë dhe të inteligjencës.

/REL