Pompeo vizitë në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi

Pompeo vizitë në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi

18:31 27/09/2019

Sekretari amerikan i Shtetit, Michael R. Pompeo do të vizitojë javën e ardhshme Italinë, Vatikanit, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.

Në turneun që do të zgjasë nga 1 deri në 6 Tetor, Pompeo do të marrë pjesë në një simpozium në Vatikan dhe do të takohet me Papa Françeskun.

Në Romë, Sekretari i Shtetit do të takohet me Presidentin Sergio Mattarella, Kryeministrin Giueseppe Conte dhe ministrin e Jashtëm Luigi Di Maio.

Më pas Sekretari i Shtetit do të shkojë në Mal të Zi ku do të takohet me Presidentin Milo Djukanovic, Kryeministrin Dushko Markoviç, dhe ministrin e Jashtëm Srdjan Darmanoviç.

Gjatë turneut, Pompeo do të shkojë edhe në Maqedoninë Veriore ku do të takohet me Presidentin Stevo Pendarovski, Kryeministrin Zoran Zaev dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, tha se këto vizita do ta vinin theksin tek angazhimi i Shteteve të Bashkuara në NATO dhe tek dëshira e Uashingtonit për zgjerim. Ai tha se do të ishte një sinjal mbështetës për Malin e Zi si vend i ri anëtar dhe për Maqedoninë e Veriut, rruga e së cilës është hapur tashmë për anëtarësim.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, se pse Sekretari i Shtetit nuk po shkon në Shqipëri, zyrtari tha se arsyeja është thjesht se zoti Pompeo po shkon për tek vendet e sapoanëtarësuara në NATO. Megjithëse vizita nuk ka për synim bisedimet e Kosovës dhe Serbisë, zyrtari tha se emërimi i zëvendës ndihmës sekretarit të Shtetit Matthew Palmer si i dërguar i posaçën për Balkanin, tregon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e problemeve në rajon.

“Ai do të jetë në gjendje të theksojë mbështetjen tonë për një zgjidhje të çështjeve, përfshirë ato mes Serbisë dhe Kosovës”, tha ai për vizitën.

Zoti Pompeo do të mbarojë turneun me një vizitë në Greqi, ku do të takohet me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, Ministrin e Jashtëm Nikolaos Dendias, dhe Ministrin e Mbrojtjes Nikolaos Panagiotopoulos./VOA

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT