Në prag të zgjedhjeve euro-parlamentare të muajit Maj, Europa kërcënohet nga një tjetër rritje e frymës populiste. Koalicioni qeverisës në Holandë i Kryeministrit Mark Rutte, humbi shumicën në Senat pas zgjedhjeve lokale që nxorrën si triumfues forcën euro-skeptike Forumi për Demokracinë. Disfata për Kryeministrin vjen vetëm dy ditë pas sulmit terrorist në Utrecht ku humbën jetën 3 persona, i shkaktuar një emigrant turk.

Lideri populist 36-vjeçar i Forumit për Demokracinë, Thierry Baudet tha pas zgjedhjeve se arroganca dhe padituria e pushtetit janë ndëshkuar.

“Qeveritë e njëpasnjëshme të Rutte i kanë lënë kufijtë tanë të hapura e të shkelura gjithmonë e më shumë nga shifra rekord emigrantësh, duke lënë të hyjnë qindra mijëra persona me kultura krejtësisht të ndryshme nga e jona”.

Koalicioni në pushtet mori vetëm 31 vende në Senatin me 75 anëtarë, duke humbur 7 vende. Forumi për Demokracinë që nuk ishte përfaqësuar deri më tani në Dhomën e Sipërme të Parlamentit, arriti të marrë 12 senatorë.

Teksa populistët në Holandë rrisin fuqinë e tyre, Partitë Popullore Europiane pezullojnë forcën euro-skeptike të Kryeministrit hungarez Viktor Orban. Masa ndaj Orban erdhi pas një fushate të tij sulmesh ndaj Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, të cilin e akuzon për lidhje me miliarderin amerikan George Soros.

Tv Klan