Popullsia shqiptare është tkurrur 0.2% për vitin 2017-ë krahasuar më një vit më parë. Instituti i Statistikave Shqiptare raporton se shkak për këtë dukuri janë bërë dy faktorë: rënia e lindshmërisë dhe emigracioni.

Në ndryshim nga viti 2016-ë, lindjet ishin 16% më të ulëta, duke bërë që shtesa natyrore e popullatës të jetë 8600 banorë, ndërsa raporti mes të huajve që kanë ardhur në Shqipëri dhe atyre që kanë shkuar për emigrim jashtë është – 14 900 persona.

INSTAT raporton se vetëm vitin që shkoi nga vendi ynë janë larguar 39905 njerëz, ndërsa në 7 vitet e fundit, nga Shqipëria kanë ikur 330 mijë banorë, shifër kjo më e lartë se ajo e një qarku, si Durrësi apo Elbasani, të cilët kanë numrin më të madh të popullatës pas Tiranës.

Gjirokastra, Dibra, Berati dhe Kukësi kanë numrin më të madh të të larguarve.

Rekordi i rritjes së emigracionit nga shqiptarët është në vitin 2011, me rreth 55 mijë banorë, ritëm ky që më pas merr kthesën në trajektoren rënëse.  Por në vitin e fundit, INSTAT raporton numri i emigrantëve është rritur me 8 mijë persona më shumë se në gjatë 2016-s.

Tv Klan