Përgjatë një dite të ngarkuar në një spital privat të Pekinit, një mjek e ka parë mes tjerash edhe një porosi në departamentin e emergjencës: mjekët duhet të përpiqen “të mos shkruajnë” COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi, në certifikatën e vdekjes së një pacienti.

Pra, nëse viktima ka pasur edhe ndonjë sëmundje shoqëruese, ajo duhet të përmendet si shkaktarja kryesore, sipas dokumentit që e ka parë edhe agjencia e lajmeve Reuters.

Nëse mjekët besojnë se vdekja është shkaktuar nga pneumonia e shkaktuar prej COVID-19, ata duhet t’iu raportojnë eprorëve të tyre, në mënyrë që një vdekje me koronavirus të jetë e konfirmuar në dy nivele.

Gjashtë mjekë të spitaleve publike në Kinë, i kanë thënë Reutersit që ose u është thënë në bashkëbisedime që të mos ua atribuojnë vdekjet koronavirusit, ose janë të vetëdijshëm që spitalet kanë politika të tilla.

Disa familjarë të pacientëve që kanë vdekur me koronavirus, kanë thënë se vdekja nuk është shfaqur në certifikatat e vdekjes dhe disa pacientë kanë raportuar se nuk janë testuar për koronavirus, pavarësisht se kanë pasur simptoma.

“Ne jemi ndalur së klasifikuari vdekjet me koronavirus prej rihapjes në dhjetor”, ka thënë një mjek në spitalin e madh publik të Shangait.

“Nuk ka kuptim, sepse gati të gjithë janë pozitivë”.

Direktiva të tilla janë kritikuar nga ekspertët globalë shëndetësorë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) se Kina nuk i ka raportuar saktë vdekjet me koronavirus, sidomos prej kur ka braktisur në Dhjetor regjimin e zero rasteve me këtë virus.

Më 15 Janar, zyrtarët kinezë kanë thënë se 60.000 persona kanë vdekur në spitalet kineze brenda një muaji.

Kjo i bie që 10 herë më shumë viktima janë regjistruar prej heqjes së kufizimeve, mirëpo ekspertët kanë thënë se shifrat mund të jenë edhe më të mëdha dhe se Kina mund të regjistrojë më shumë se një milion vdekje me koronavirus këtë vit.

Qendra kineze për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Komisioni Kombëtar Shëndetësor i Kinës, nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.

Mjekët në këtë artikull po ashtu nuk kanë pranuar të identifikohen, sepse nuk u lejohet të flasin në media.

Disa prej tyre kanë thënë se udhëzimet e tilla u kanë ardhur nga “qeveria”, ndonëse asnjëri nuk ka përmendur ndonjë departament specifik.

Tre mjekë tjerë të spitaleve publike në qytete të ndryshme kanë thënë se nuk janë në dijeni të ndonjë udhëzimi.

Njëri prej tyre, mjek në dhomën e urgjencës në provincën Shandong, ka thënë se mjekët kanë lëshuar certifikatat e vdekjes varësisht prej shkaktarit të vdekjes, mirëpo “mënyra e kategorizimit” është vendimmarrje e spitaleve apo zyrtarëve lokalë.

Një mjek në qytetin lindor të Ningbos, ka thënë se mjekëve u është thënë të jenë “të kujdesshëm” kur të deklarohen se dikush ka vdekur nga koronavirusi, dhe në rastet kur thonë diçka të tillë, ata duhen të marrin miratim.

Asnjë sëmundje tjetër nuk kërkon kësi niveli të “kujdesit” kur të paraqitet në certifikatën e vdekjes, ka thënë ai./REL