Erion Alibej është arrestuar këtë të enjte si organizator dhe porositës i vrasjes së Emiljano Ramazanit më 20 Korrik dhe Regis Runajt më 29 Korrik, të dyja ngjarjet kriminale të kryera në Elbasan këtë vit.

Erion Alibej rezulton të jetë vëllai i Endrit Alibej. Ky i fundit u vra në një atentat së bashku me xhaxhain e tij Arben Dylgjeri, 56 vjeç dhe shtetasin turk Erdal Durunay, 51 vjeç në dalje të qytetit të Elbasanit më 29 Dhjetor të 2018-s. Të tre viktimat kishin vetëm pak ditë që ishin kthyer në Shqipëri për festat e fundvitit.

Endrit Alibej, ishte arrestuar në Itali në vitin 2013 për trafik kokaine si një nga drejtuesit e një grupi kriminal. Bashkë më të i arrestuar ka qenë dhe Eno Bedalli, i vrarë ne atentatin e 3 Shkurtit 2016 po në Elbasan, ku u vranë 3 persona dhe u plagosën 7 të tjerë.

Policia dhe prokuroria për këtë ngjarje të rëndë u fokusua vetëm tek një pistë, ajo e përplasjes së grupeve kriminale në trafikun e drogave të rënda në Holandë dhe Angli. Në këto vende grupet rivale të cilat origjinën e kanë në Elbasan, kanë patur konflikte të shpeshta dhe përplasje mes tyre./tvklan.al