Akuza të ashpra mes Ramës e Berishës

Ndarja e minutazhit të diskutimeve për marrëveshjen e Portit të Durrësit shkaktoi tension e përplasje mes opozitës e maxhorancës në Kuvend.

Ajo që qetësoi palët për të vijuar normalisht debatin ishte Konferenca e Kryetarëve, e cila vendosi 10 minuta kohë diskutimi edhe për deputetët e opozitës.

Sali Berisha u ngjit në foltore për të vijuar akuzat në adresë të Kryministrit, si të përfshirë në një aferë të madhe korruptive.

Sali Berisha: Ju kërkoni të varrosni portin shekullor mijëravjeçar të Durrësit, si pronë publike të shqiptarëve dhe ta shndëroni këtë në pronë private të klanit Rama dhe të ndonjë arabi okazional. Klani Rama me 60% të aksioneve u përvetëson shqiptarëve 200 mijë metër katrorë tokë në pjesën më të kushtueshme të Durrësit.

Por Edi Rama, kur mori fjalën, zgjodhi t’i përgjigjet opozitës me fjalët e Faik Konicës.

Edi Rama: Janë shëmbëlltyra e të njëjtës hije të atij mallkimi të vjetër, që siç thoshte Konica është njësoj si punët tuaja të brendshme e ngatërruar e shtrembër, e ndyrë. A nuk është e vërtetë se Esati dhe ky Kuniqi i këtij Dervishi janë gjallë mes nesh duke lodruar me Shqipërinë, bashkë me vagabondët e 1914? Bashkë-bashkë gjithmonë bashkë. S’ju lë mallkimi!

Përballë akuzave, ai  tha se ishte më i vendosur për t’i shkuar deri në fund investimit që tha se e kthen Durrësin në portin më të madh turistik të rajonit.

Edi Rama: Me shumë padurim dhe me gëzim po numëroj orët deri sa të votohet marrëveshja për investimin më të madh të huaj në historinë e vendit tonë. Është në të drejtën dhe në lirinë e tij të vijë në Shqipëri me një kompani fringo të re ta quaj “Eagle Hills Albania” ama boll që në ballë dhe në shpinë të këtij operacioni masiv të jetë ai, Muhamet Alabbar.

“Si deputet i Durrësit po numëroj orët derisa të miratohet marrëveshja. Jeni ortak thonë mufot e çufot ku nuk mungojnë edhe gjelat, ndërkohë që kompania Eagle Hills është e regjistruar në Abu Dabi, madje edhe janë në Abu Dabi. Më akuzojnë mua se mua më dinë si llupës trojesh e gjelash detit, por akuzojnë një personalitet të EK Globale, themeluesin e Emar Grupit.”

Ish-kryeminitri foli për grabitje të pasurisë publike, por Edi Rama i tregoi opozitës një ndër pikat e kontratës që tha se hedh poshtë pretendimet e tij.

Sali Berisha: Sot klani Rama merr përsipër të përvetësojë 200 mijë metër katrorë me para në ajër, para të pista të zeza.

Edi Rama: Për herë të parë, në një kontratë publike të këtij shtetii është garantuar prona publike, në rast moszbatimi kontrata parashikon deri në marrjen e gjithçkaje që ai ka zhvilluar deri në atë moment me zero pagesë nga shteti dhe s’ka asnjë kolateral të pronës nga shteti.

Berisha e akuzoi edhe për vlerën e projektit, por kryeministri dha detaje të tjera të kontratës për t’i hedhur poshtë akuzat.

Sali Berisha: Këta këtu fitojnë 4-5 miliardë euro. Shqiptarët paguajnë 2miliardë euro, për fitimet e tyre për plaçkën që ata marrin.

Edi Rama: Ne s’po falim asnjë metër toke, por shteti ishte ortak me një investitor të huaj, por do investojë 2.1 miliardë të paktën. Asgjë nuk është falur, janë plot 1 miliardë që shteti shqiptar do përfitojë. Taksa nuk falet, por është kontribut i shtetit që përfiton 33% të aksioneve të ortakut shtet i cili ka veto për të miratuar buxhetin dhe të çdo vendimarrje me rëndësi.

Edi Ramës u mundua disa herë t’i tregonte vendin që e pret pas zhdukjes së Portit të Durrësit nga pozicioni ekzistues, por kryeministri e sqaroi arsyen e vendimit duke ia ilustruar me një foto.

Sali Berisha: Ka qenë gjithmonë porta e hyrjes së Europës drejt Ballkanit dhe Ballkanit drejt Europës.

Edi Rama: Epo pikërisht edhe për këtë hiqet që aty, se është porti më i madh i vendit dhe nuk mund të rri në  zemër të një qyteti turistik. Ky port është një skandal mjedisor, një gërhitje teknologjike. Kjo zonë e mbetur kancerogjene është ndërfaqja e derisotme e qytetit të dytë të atij malit me plehra e derra të zhdukur në Porto Romano. Duhet dhe do të zhduket nga faqja e dheut përgjithmonë.

Sali Berisha nuk u mjaftua vetëm me akuzat në Kuvend, por jashtë tij krahas kryeministrit tha se në këtë aferë ishte i përfshirë edhe Lulzim Basha.

Tv Klan