Cristiano Ronaldo në historinë e Europianit, vendos tre rekorde ndaj Hungarisë

Dy gola dhe tre rekorde. Cristiano Ronaldo vijon të shkruajë historinë. Sulmuesi 36-vjeçar ishte fantastik në fitoren debutuese që kampionët në fuqi të Europës, Portugalia arriti 3-0 përballë Hungarisë, me një dopietë personale.

Në Budapest, Ronaldo luajti sfidën e 39-të me Portugalinë në një kompeticion ndërkombëtar, askush më mirë se ai, duke thyer rekordin e ish-mesfushorit gjerman, Bastian Shvajnshtajger. Rekord që e vendos në Europianin e tij të 5-të në karrierë, lojtari i parë që e arrinë këtë kuotë.

Gjithashtu, Ronaldo u bë futbollisti i parë në historinë e finaleve të Europianit që shënon 10 gola, duke kaluar rekordin e Michel Platini me 9 realizime të arritura në edicionin e vitit 1984. Një fitore e vendosur vetëm në 10 minutat e fundit, me luzitanët që gjetën rrjetën plot 3 herë.

Portugalia bëhet kështu skuadra e parë në historinë e Kampionateve Europiane që shënoi tre gola në një hark kohor kaq të shkurtër për të vulosur kështu rekordet e njëpasnjëshme të Ronaldos.

Klan News