“Poshtërim” dhe “katastrofë” janë fjalët që kanë pushtuar faqet e para të shtypit britanik pasi Brukseli refuzoi planin e shefes së qeverisë së Londrës Theresa May për shkëputjen nga Bashkimi Europian.

Më i ashpri ndër ta ishte tabloidi “The Sun” ku me shkronja të mëdha bie në sy titulli “Tradhtarët e ndyrë të Bashkimit Europian – eurogangësterët i zënë pritë May-t”. “Poshtërim për May-n, teksa Bashkimi Europian refuzon planin e Brexit-it” shkruan The Times, një tjetër e përditshme prestigjioze vendase. “Katastrofa e Salsburgut” e quan e përditshmja tjetër “Inews”.

Refuzimi që i dha Brukseli planit të May-t, që Britania e Madhe të shkëputet nga unioni por të vijojë të jetë pjesë me të drejta të plota e tregut të përbashkët europian ka ashpërsuar tensionet politike në Britaninë e Madhe.

Linja e ashpër e konservatorëve, e udhëhequr nga ish-ministri i jashtëm Boris Xhonson kërkojnë dorëheqjen e Meit. Ndërsa laburistët janë të gatshëm për bashkëpunim për një marrëveshje të re me kusht që kryeministrja të zbusë qëndrimin e saj dhe të jetë më miqësore me Brukselin. Një ndër pikat ku Brukseli ka mospërputhshmëri të theksuara me May-n është kufiri i Irlandës, që pala europiane propozon të vijojë të mos jetë egzistent.

Tv Klan