Njerëzit janë të ndarë, ekspertët e kanë një përgjigje

Kur shkoni në shtrat dhe përpëliteni nën shtroje për t’u rehatuar, flini me shpinë, përmbys apo në anë? Kjo është pyetja që ka tërhequr interesin e përdoruesve në rrjetet sociale momentalisht, kryesisht për shkak të ndarjes sa i përket pozicionit më të mirë për të fjetur.

Gjithçka nisi të hënën, kur një përdorues i quajtur Allan Bell zgjodhi të postonte në Twitter një fotografi ku shfaqeshin 18 pozicione të ndryshme për të fjetur. Bashkë me imazhin ai shkruajti: “Unë jam Nr 9, cili jeni ju?” Postimi i tij u bë shumë shpejt viral, duke mbledhur mbi 12 600 pëlqime dhe më shumë se 1 300 ripostime.

Është me vend të thuash se postimi i Bell bëri që përdoruesit ta merrnin tejet seriozisht e të angazhoheshin për të dhënë mendimin e tyre. Sigurisht nuk munguan edhe batutat me humor. “Kushdo që është Nr 15, me gjasë vret njerëz gjatë ditës”, shkruajti një përdorues.

“Rrotullohem gjatë natës në pozicionet 1,3,4,5,7 dhe 14, duke lëvizur nga njëra anë e shtratit në tjetrën”, pranoi një tjetër.

Ndërsa një tjetër tha: “Jam padyshim Nr 18. Nuk mund të flej pa jastëk mbi veshët e sytë, e çuditshme, e di”.

Si përfundim, nuk pati një pozicion të veçantë që mori votat e shumicës, pasi njerëzit kishin preferencat e tyre personale.

Megjithatë, për të gjithë ata që mund të pyesin se cili është pozicioni më i mirë për të fjetur, e përditshmja Mirror sjell mendimin e një eksperti të gjumit.

Sipas Neil Stanley, pozicioni më i zakonshëm për të rriturit për të fjetur është pozicioni fetusit, në anë dhe me gjunjët e mbledhur. Sipas ekspertit 41 përqind e njerëzve flenë në këtë pozicion./tvklan.al