Rritja deri në 30% e kostove të prodhimit ka bërë që sipërmarrësit shqiptarë të industrisë prodhuese të kërkojnë në vazhdimësi përjashtimin nga akciza të gazit të lëngshëm ose subvencionimin e tij.

Kësaj here kërkesa e tyre është kthyer në një nismë ligjore që në Kuvend është paraqitur nga deputeti socialist Ismet Beqiraj, i cili në relacionin shoqërues argumenton se me këto ndryshime prodhimi vendas bëhet i konkurrueshëm në raport me vendet e rajonit.

“Përjashtimi nga akciza për gazet e lëngshme dhe hidrokarburet e tjera gazoike të konsumuara me serat me ngrohje, për përpunimin e produkteve ushqimore dhe të tekstilit si edhe në prodhimin e letrës të bëhet deri në fund të dhjetorit 2027, me qëllim që të lehtësojmë më tej strukturën e kostos për produktet vendase.”

Gjithashtu ai kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në vitin 2021, ku u vendos unifikimi i akcizës për gazin e lëngshëm, në nivelin 6 lekë për litër si për përdorim në automjetet private ashtu dhe për përdorime të tjera.

“Shfuqizimi i iniciativave dhe përjashtimeve tatimore shoqërohet me identifikimin e mekanizmave të tjerë stimuluese si subvencionet, të cilat lidhin përfitimin me produktet e hedhura në treg. Kjo do të sjellë më tepër punësim, investime, të ardhura tatimore dhe siguri në klimën e të bërit biznes.”

Efekti financiar i kësaj nisme vlerësohet të jetë rreth 164 milionë lekë.

Tv Klan