“Çdo sulm ndaj medias është sulm ndaj demokracisë”

Presidenti Ilir Meta kërkon rishikimin e paketës antishpifje të miratuar nga qeveria në muajin Korrik. Kreu i shtetit thotë se zbritja me 7 vende  në konkluzionet e organizatës botërore të gazetarëve dhe shqetësimet e shprehura në raportin paraprak të OSBE/ODIHR, janë këmbana të forta alarmi për gjendjen e përkeqësuar dhe tepër shqetësuese në të cilën ndodhen sot gazetarët në Shqipëri.

Meta thotë se çdo goditje ndaj institucionit të medias është sulm ndaj demokracisë dhe se pa media të lirë e të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur.

Ndaj për këtë arsye, Meta kërkon marrjen në shqyrtim nga ana e qeverisë dhe Parlamentit të sugjerimeve të shprehura nga komuniteti i gazetarëve.

Reagimi i Presidentit Ilir Meta:

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta po ndjek me shumë vëmendje shqetësimet e thella të shprehura nga komuniteti i gazetarëve shqiptarë dhe organizatat ndërkombëtare që monitorojnë lirinë e medias në vendin tonë, lidhur me nismën ligjore “anti-shpifje” të propozuar nga qeveria.

Duke ndarë bindjen se çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë, Presidenti Meta thekson domosdoshmërinë e marrjes në shqyrtim nga ana e qeverisë, por edhe e Parlamentit, e të gjitha sugjerimeve të shprehura nga komuniteti i gazetarëve, me kujdesin dhe vëmendjen e duhur që ato meritojnë.

Presidenti Meta shpreh bindjen se angazhimi i institucioneve dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend.

Presidenti Meta thekson se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike, si dhe për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.

Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”;

Përfundimet e raportit vjetor të “Freedom House” se media në Shqipëri është pjesërisht e lirë;

Konkluzionet e “Misionit për lirinë e medias” të shtatë organizatave globale sipas të cilave “autoritetet shqiptare nuk po përmbushin detyrimet ndaj ligjit vendas dhe instrumenteve ndërkombëtare për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medias, duke theksuar se ka pasur një përkeqësim të sigurisë, kushteve të punës dhe aksesit në informacion të gazetarëve”;

Raporti paraprak i OSBE/ODIHR ku theksohej se “media të mëdha u shërbejnë si platforma lobuese pronarëve të tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar autocensurën”;

Janë këmbana të forta alarmi për gjendjen e përkeqësuar dhe tepër shqetësuese në të cilën ndodhen sot gazetarët në Shqipëri.

Presidenti Meta garanton komunitetin e gazetarëve se do të jetë përherë në mbështetje të tyre kundër çdo tentative që synon të cënojë fjalën e lirë dhe pavarësinë e medias, që rrezikon të kthejë vendin 30 vite pas.

Pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur. /tvklan.al